Emisioni “Opinion” në Tv Klan ka trajtuar mbrëmjen e sotme debatin në distancë mes Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit Ramush Haradinaj pas Samitit të Berlinit lidhur me taksën e Kosovës ndaj Serbisë.
Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë Paskal Milo, i ftuar në “Opinion”, ka treguar aleancat mes politikanëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës. Sipas tij, nga njëra anë janë Rama-Thaçi dhe nga ana tjetër Meta-Haradinaj.
Paskal Milo: “
Në marrëdhëniet e viteve të fundit midis politikanëve shqiptarë të Kosovës dhe Shqipërisë janë krijuar diferenca të tilla që janë kryer dy dyshe të njohura. Dyshja Rama-Thaçi dhe Meta-Haradinaj që janë të dukshme. Rama dhe Haradinaj përfaqësojnë dy kultura të ndryshme dhe dy qasje të ndryshme. Rama përfaqëson atë politikan shqiptar dhe kërkon të marrë përsipër gjëra të mëdha. Mirëpo Haradinaj është më praktik, më konkret, bën një politikë më lokale, nuk është i përfshirë në plane të mëdha në të cilat për mendimin tim është përfshirë Rama me Thaçin. Ndërsa Haradinaj është më i tërhequr. Deri në Gusht të vitit të kaluar, marrëdhëniet zyrtare ishin në nivel qeverie. Pas Gushtit këtu filluan edhe diferencimet.
Në këto momente Kryeministri Rama mbajti një qëndrim pritës ndaj propozimeve për ndryshime kufijsh. Më vonë evoloi dhe mbajti qëndrim pro Thaçit. Deri në fund të Shtatorit të vitit të kaluar në një takim miqësor në Kosovë u hap ky muhabet. Të gjitha palët ishin në tavolinë aty dhe bisedat ishin kaq optimiste nga pala që e mbështeste”.
Ndërsa gazetari Baton Haxhiu është shprehur se problemi i ndarjes së politikanëve në dy kampe lidhur me ndarjen ose jo të territorit të Kosovës, ka nisur që në krijimin e koalicionit qeverisës në Prishtinë.
Baton Haxhiu: “
Realisht thelbi i konfliktit e ka bazën te koalicioni i ndërtuar mes Partisë Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e fundit. Problemi është se Thaçi e ka ndihmuar shumë ndërtimin e këtij koalicioni. Ka menduar që z.Haradinaj për faktin që është Kryeministër nuk mund të jetë pjesë e bisedimeve me faktorin ndërkombëtar. Z.Haradinaj në këtë proces kërkon hisën e tij. Gabimi në kalkulim i Presidentit ka qenë që ka lënë jashtë lojë Kryeministrin. Ai ka hyrë dhe po bën lojën e tij. E ka bërë situatën kështu të acaruar. Referenca e asaj që quhet konferencë shtypi e qëllimtë e Gushtit e z.Thaçi që hapi çështjen e korrigjimit”.
/
tvklan.al