Në kundërpërgjigje të deklaratave të kryetarit socialist Edi Rama, sipas të cilit ky 28 nëntor e gjen vendin në një moment dramatik për të ardhmen e tij. Kreu i grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi tha, se Rama po përpiqet t’ia faturojë dështimin e tij në zgjedhjet e 28 qershorit, qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi. Sipas tij qëndrimet e Ramës janë të motivuara nga aleanca punisto-mafioze, ku ai bën pjesë.
Astrit Patozi: “Ky është vërtet një moment dramatik për të gjithë ata nostalgjikë të diktaturës dhe mafiozë të rinj, që ju gënjen mendja se mund të ndryshojnë kursin e pandalshëm të Shqipërisë drejt progresit dhe integrimit europian, vetëm se ju është prishur ëndrra e tyre për të ardhur me çdo çmim në pushtet. Ky është vërtetë një moment delikat për mafien politiko-ekonomike dhe për padrinon e saj, që e shikon me frikë se çdo shtrëngim i darëve të forta të ligjit i prish në mënyrë të pa rikthyeshme llogaritë e veta të pista. Ne kemi besim dhe bindje se asnjë qytetar normal në Shqipëri nuk ndjen keqardhje nga dhimbjet e mafies në këtë moment vërtetë dramatik për të”.
Patozi tha, se në këtë përvjetor të Pavarësisë shqiptarët janë anëtarë të NATO-s. Ata do të lëvizin pa viza brenda 6 mujorit të parë të vitit 2010 dhe se shumë shpejt do të bëhen pjesë e BE./tvklan.al