Ndonëse kriza ekonomike botërore ka mbërthyer mbarë globin dhe institucionet ndërkombëtare e shohin këtë vit si pikun e kësaj krize, FMN vlerëson se Shqipëria do të njohë rritje ekonomike edhe gjatë 2009 -ës. Përfaqësuesi i FMN për vendin tonë, Gerwin Bell tha se përballë krizës Shqipëria gjendet në një pozicion më të mirë se vendet e tjera të rajonit dhe se mund të kontrollojë inflacionin.
Gerwin Bell : “Në ndërmarrjen e politikave të kërkuara Shqipëria mund të ruajë inflacion të ulet dhe të korrigjojë disa nga prishjet e ekuilibrave konik të shfaruara si dhe të regjistrojë rritje pozitive ekonomike, pavarësisht ngadalësimit të mprehtë krahasuar me rritjen e shpejtë të viteve të kaluara. Tani për tani ne shikojmë një normë pozitive rritjeje nga 0 deri 1%.”
Deklaratat erdhën gjatë një konference të përbashkët me ministrin e financave Bode dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Fullani. Ministri Bode përmendi faktin se edhe në këtë vit vijon rritja e të ardhurave dhe theksoi se me masat e ndërmarra nga qeveria garantohet shmangia e rreziqeve të krizës.
Ridvan Bode: “Qeveria do të vijojë të mbajë kontigjenca të mëdha në buxhetin e shtetit për të përballuar risqet e mundshme, qoftë riskun e të ardhurave qoftë dhe rrisqe të tjera veç shumës prej 20 miliard leke të reja, 2% të PBB që kemi në kontigjenca. Mendojmë që të destinohen edhe të ardhurat që do të vijnë nga privatizimi dhe 260 milion euro nga 30% që janë totali i shpenzimeve, 5% janë kontigjenca, pa përfshirë këtu financimin e deficitit të vitit. Mendoj që … rripat e sigurisë janë të mjaftueshëm.”
Guvernatori Fullani tha se vendimi për garantimin e plotë të depozitave në masën 2,5 milion lekë do të kthejë paratë e shqiptarëve në banka.
Ardian Fullani: “Ne besojmë që vendimi i Kuvendit të Shqipërisë do të ndikojë në kthimin më të shpejtë të depozitave të tërhequra në sistemin bankar shqiptar. Niveli aktual i sigurimit të depozitave i ngjashëm me atë të vendeve evropiane garanton plotësisht dhe përgjithmonë kursimet e shumicës dërmuese të familjeve shqiptare. Tashmë nuk ka asnjë arsye objektive që njerëzit të shqetësohen për kursimet e tyre në bankë.”
Nga ana tjetër, shefi i FMN -së për Shqipërinë i kërkon qeverisë të tregohet e kujdesshme me kryerjen e shpenzimeve.
Gerwin Bell: “Buxheti duhet ti përshtatet realitetit të tri sidomos shpenzimet kontingjente nga realizimi i të ardhurave, përfshi këtu rritjen e pagave dhe të pensioneve, duhet të kryhen vetëm nëse do të identifikohen masa të tjera kompensuese. Për me tepër në këtë pikë nuk ka më hapësirë për uljen e planifikuar të normave të kontributit të sigurimeve shoqërore apo iniciativa të reja shpenzimesh. Në mënyrë të veçantë të ardhurat nga privatizimet strategjike duhet të përdoren për financimin e deficitit këtë vit.”/tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro