Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Sali Berisha:- “Zoti Romano Prodi falënderoi opozitën, për rolin e saj që luajti dhe mundësitë që krijoi për arritjen e kësaj dite, vlerësoi lart zgjedhjen e Presidentit dhe pjesëmarrjen aktive të opozitës në Parlament, si dy nga momentet kryesore, që bënë të mundur sot shpalljen e hapjes së negociatave, sikundër na garantoi se është plotësisht dakord, që vendi dhe qeverisja, kanë nevojë për një monitorim të rreptë, për të lidhur me të gjitha kushtet e paraqitura, në mënyrë që negociatat të përparojnë”.

Por ka qenë pikërisht takimi Prodi-Berisha, që ka shënuar incidentin më të rëndë të ditës. Zëdhënësi i PD Edi Paloka, ka deklaruar, se biseda konfidenciale, mes dy delegacioneve në sallën e Kuvendit është përgjuar në minutat e para të saj. Edhe pse pohon, se nuk mund ta provojnë deri tani me fakte konkrete këtë skandal diplomatik, zoti Paloka thotë, se biseda e përgjuar nëpërmjet interfonisë që ekziston në sallën e takimit, ka shqetësuar seriozisht delegacionin e Bashkimit Europian.

Edi Paloka:- “Të dy delegacionet, kanë vënë re që mikrofoni në sallën ku bëhej takimi, ishte lënë i hapur dhe të gjitha bisedat dëgjoheshin në një sallë tjetër të lidhur brenda Kuvendit dhe kjo ka krijuar një shqetësim sidomos në delegacionin e BE dhe për disa minuta rresht, nuk është zhvilluar biseda midis dy palëve, pikërisht për këtë arsye, deri në momentin kur janë ndërprerë mikrofonët dhe pastaj ka filluar biseda. Kjo ka ngjallur një shqetësim, që është shfaqur kryesisht nga anëtarët e delegacionit të BE dhe unë do të thoja, që ky është skandali i radhës i kësaj qeverie. Është një qeveri që për mua vazhdon të punojë me metodat e sigurimit të shtetit, apo dhe të mafies, sepse të përgjosh një bisedë konfidenciale, midis kreut të opozitës dhe kreut të BE, kjo sigurisht që vetëm qëllime pozitive nuk ka”.

Ekzistencën e këtij sistemi interfonie, në zyrat e Kuvendit të Shqipërisë, e kanë pohuar edhe burime zyrtare pranë kryeparlamentarit Pëllumbi, por sipas këtyre burimeve, ky sistem shërben vetëm për të dëgjuar seancat plenare./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço