Lëvizja Socialiste për Integrim paralajmëron thirrjen e konventës së jashtëzakonshme.
Kjo e fundit duhet të japë bekimin për nisjen e negocimit politik me partinë Demokratike të drejtuar nga kryeministri Berisha mbi shkallën e përfaqësimit në qeveri.
Por paralelisht LSI do të duhet të sqaroje dhe zërat alternative brenda saj të cilët nuk e kanë pritur me të njëjtin entuziazëm bashkëpunimin me PD. Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar, Edmond Haxhinasto, sqaron pikërisht këtë moment.
Edmond Haxhinasto: “Duke vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme të situatës që ka lidhje me vendimin politik të LSI-së për të pranuar hyrjen në bashkëqeverisje me PD-në. Vendimi i marrë në konsultim me strukturat drejtuese të LSI-së dhe me partnerët tanë të huaj diplomatik dhe partiak si dhe duke respektuar kërkesat statutore të funksionimit të brendshëm të LSI-së. Kryetari i LSI zoti Ilir Meta thërret ditën e martë datë 7 korrik konventën kombëtare të jashtëzakonshme. Për të konsultuar dhe mandatuar vendimin e kryesisë së LSI-së për bashkëqeverisje me PD-në si dhe për të marrë mandatin për të negociuar në emër të LSI-së për krijimin e qeverisë së re. Ky vendim është marrë në konsultim në strukturat kryesore drejtuese të LSI-së, por me gjithë atë mbledhja e konventës dhe zhvillimi i saj do të jetë një mundësi institucionale që të gjithë ata që kanë mendime alternative të kenë mundësi të shprehen dhe ti paraqesin mendimet e tyre aty.”
LSI ka deklaruar një ditë më parë zyrtarisht se do të bashkë qeverisë me partinë Demokratike në atë që do të njihet si koalicioni qeverisës për Integrim.
Kryetari i qeverise, Sali Berisha, tha se ftesa drejtuar LSI ka në thelb dhe programet e përbashkëta që përfaqësojnë këto dy forca politike./tvklan.al