“Rritje e rrogave për bluzat e bardha, fakultet i ri mjekësor dhe rimbursim të ilaçeve sipas diagnozës”
Pas planit ekonomik, tashmë ishte radha e shëndetësisë. Kryetari i PD-së prezantoi këtë të hënë planin që selia blu ka menduar për sistemin shëndetësor. Basha tha se për këtë plan është punuar me ekspertët më të mirë dhe do të ndryshojë Shqipërinë. “Plani është serioz dhe i zbatueshëm”, tha Basha.
Sipas kryedemokratit, synohet që të ndërtohet një sistem model për të gjithë rajonin. Basha u angazhua për uljen e tarifave në mënyrë të ndejshme.
Por cilat janë disa prej pikave të planit të PD-së?
Basha tha se synohet që pacienti të vendoset në qendër të sistemit. Ai u shpreh se njerëzit do të zgjedhin vetë mjekun apo spitalin ku duan të mjekohen. Nga ana tjetër edhe spitalet do të vetëorganizohen dhe do të fitojnë vetëautonomi.
Sa i përket pagave, Basha tha se do të jenë dinjitoze për mjekët dhe infermierët. “Paga e infermierëve do të bëhet 700 Euro dhe e mjekëve 1200 Euro”, tha Basha.
Ndër të tjera është menduar hapja e një fakulteti të ri mjekësor. Sa i përket ilaçeve, kryetari i opozitës tha se do të ushtrohen kontrolle të plota që të shiten vetëm ato që kanë standardet e BE-së. Për rimbursimet, Basha tha se do të bëhen sipas diagnozës./tvklan.al