Partia Demokratike deklaroi se kryeministri Rama urdhëroi sulmin ndaj avokatit Sokol Mëngjesi. Në një dalje enkas publike, zëdhënësja e Floriana Garo e cilësoi akt kriminal dhe hakmarrje primitive të kreut të qeverisë.
Këto akuza janë hedhur poshtë nga ministri i Brendshëm Taulant Balla.
Taulant Balla, Ministër i Brendshëm: Kam komunikuar edhe personalisht me kolegët e avokatit sapo kam marrë dijeni dhe i falenderoj për disponimin qytetar në funksion të sqarimit të ngjarjes. Duke i uruar shërim të shpejtë zotit Sokol Mëngjesi, shpreh keqardhjen që nga kati i 8 hidhet edhe në këtë rast një kazan me helm për publikun, me qëllimi vetë-viktimizimin politik të një të korruptuari madhor!
Për sulmin ndaj Sokol Mëngjesit ka reaguar dhe Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë duke i kërkuar autoriteteve të kryejnë një hetim të plotë dhe të pavarur brenda një kohe sa më të shkurtër.
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja theksoi se çdo formë dhune mbi avokatët meriton ndëshkimin e drejtësisë duke mbështetur qëndrimin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë për dhunën e ushtruar mbi avokatin.
Të pa pranueshme e ka cilësuar sulmin dhe Avokati i Popullit. Ky institucion thekson se nevojitet një qëndrim i fortë dhe i vendosur për të garantuar që, të gjitha aktet e dhunës dhe kërcënimit ndaj avokatëve të ndëshkohen në përputhje me ligjin.
Sulmi ndaj Sokol Mëngjesit u dënua dhe nga Universiteti i Tiranës, ku prej vitesh ai jep mësim.
Klan News