Të hënën e 7 Tetorit opozita do të ngrejë siparin e protestave me qëllim largimin e kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie teknike, që sipas demokratëve mund të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme. Vendimi u mor në Këshillin Kombëtar, i cili vendosi ta shtyjë me një ditë nisjen e protestave, duke lënë në fuqi propozimin e Kryesisë.
Nga mbledhja me dyer të mbyllura mësohet se ne këtë protestë nuk do ketë fjalime dhe drejtuesve të forumeve u është kërkuar angazhim maksimal në terren. Qëndrim të cilin e paralajmëroi edhe lideri i demokratëve kur foli për një betejë pa kthim e dhëmbë për dhëmbë me atë që e cilësoi regjim të narkoshtetit të Edi Ramës.
Për Berishën burgosja e deputetit Ervin Salianji është thirrje lufte jo vetëm për opozitën, por për të gjithë shqiptarët, pavarësisht flamujve partiakë. Një mesazh Berisha adresoi edhe ndaj mediave, komuniteteve fetare, si dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Ndonëse 7 Tetori çel siparin e protestave të opozitës në sheshe me qytetarët, revolta e deputetëve demokratë do nisë pasditen e të hënës në parlament, ku opozita ka paralajmëruar bllokim të seancës plenare.
Tv Klan