Partia Demokristiane de fakto drejtohet nga 2 kryetarë. I mbledhur dy ditë pas kongresit të 6 majit që konfirmoi Anton Gurakuqin si kryetar të demokristianëve, Kongresi i Jashtëzakonshëm i thirrur nga Nard Ndoka e ka rizgjedhur këtë të fundit në krye të partisë.
Nard Ndoka: “Me krenari e deklaroj sot përpara jush, se ka marrë fund përgjithmonë ajo kohë kur Partisë Demokristiane ja emëronin faktorët e tjerë politikë jashtë saj, kryetarin e tyre. I ashtuquajturi kongresi i 6 majit, ishte përpjekja e fundit e dështuar për t’i komanduar Partisë Demokristiane lidershipin e saj dhe kursin politik.”
Ndërkohë që Ndoka fliste përpara delegatëve dhe mbështetësve të tij, kryetari tjetër i kësaj partie Gurakuqi ka depozituar në organin e akuzës një padi penale ndaj tij.
Anton Gurakuqi: “Kemi bërë një kallëzim penal për deputetin Ndoka, për heqjen e imunitetit të Nard Ndokës pasi ka falsifikuar dhe po vazhdon të falsifikojë me dokumentet e Partisë Demokristiane.”
Gurakuqi deklaroi, se i ka kërkuar kryeministrit Berisha që demokristianët të mos përfaqësohen më në kabinetin qeveritar me postin e ministrit të Shëndetësisë.
Anton Gurakuqi: “Për drejtimin të turpshëm nga na e zotit Ndoka të ministrisë të Shëndetësisë ne jemi absolutisht të hapur që ministria e Shëndetësisë t’i kthehet Partisë Demokratike dhe të negociohet me Partinë Demokratike për të marrë një post tjetër qeveritar.”
Ndërkohë që në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit zhvillohej kongresi i demokristianëve thirrur nga Ndoka, ministria e Shëndetësisë ishte thuajse e boshatisur./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka