Kur bëhet fjalë për padrejtësitë që mund të na bëhen nga të tjerët, disa prej nesh zgjedhin hakmarrjen, disa faljen, disa ia lënë në dorë drejtësisë e disa të tjerë lënë që të veprojë “karma”. Rreth këtyre koncepteve dhe dilemave të ftuarit në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan ndanë mendimet e tyre, duke e shtirë diskutimin në këndvështrime të ndryshme.

“Nëse marr vesh se janë plasur në burg, kënaqësi më të madhe nuk ka,” kështu është shprehur pedagogu Shpend Gashi, duke marrë shkas nga një rast personal. Teksa lë të kuptohet se ndaj tij është bërë një padrejtësi, duket se Gashi ia ka lënë në dorë drejtësisë dhe “karmës” të marrë hak për padrejtësinë që i është bërë.

“Me ata pedagogë që unë kam pasur kolegë në Universitetin e Tiranës, nëse marr vesh që ata janë plasur në burg për të gjithë korrupsionin e madh që kanë bërë, kënaqësi më të madhe nuk ka. Dhe këtë e kam për doktoraturën e degjeneruar që më është bërë në Fakultetin e Shkencave Sociale. Po e marr një rast konkret,” tha Gashi.

Nga ana tjetër duke e parë në një aspekt më teorik, sociologia Eris Dhamo tha se hakmarrja dhe drejtësia janë dy nocione të ndryshme.

“Nuk ka hakmarrje për drejtësi, si mentalitet hakmarrja dhe drejtësia janë dy nocione të ndryshme. Hakmarrja është të marrësh ti hak dhe drejtësia është që të vendosen ekuilibrat e drejtësisë dhe në fakt kur flasim për faljen, ne flasim pikërisht për drejtësinë sociale. Dhe në fakt nuk mjafton vetëm kuadri rregullativ dhe një faktor tjetër që na mungon është kodi etiko-moral si shoqëri. Besoj se është domosdoshmëri në të gjitha profesionet që ne kemi, në të gjitha punët që bëjmë dhe marrëdhëniet që ndërtojmë,” u shpreh sociologia./tvklan.al