Dalja në pension për mësues Shpëtimin do ta bëjë që t’i mungojnë zhurmat e nxënësve, por do të shënojë edhe një kujtim të bukur. Ish-kolegu i tij, Hysniu, ish-nxënësit Amelia, Dhimitri dhe Sara si dhe Brunilda që është nëna e këtyre dy të fundit kanë ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty” për t’i dhënë disa falenderime zemre.
Gjatë rubrikës së programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan ata theksuan veprat e tij të mira, punën e palodhur me nxënësit dhe mirësinë e vazhdueshme që ka treguar ndaj kujtdo. Secili prej tyre ka një falenderim dhe vlerësim të veçantë për mësues Shpëtimin.
Hysni: Shpëtim!
Shpëtim: Urdhëro!
Hysni: Kënaqësia është shumë e madhe që ta bëjmë këtë surprizë sepse ti me të vërtetë e meriton. Është nder dhe në fund të them atë që më pate thënë se “Hysni, sa shpejt dole në pension!” Më duket se të erdhi radha dhe “pension të lehtë” them unë tani.
Shpëtim: Faleminderit shumë!
Hysni: Vështirë do e kesh një vit sa për dijeni.
Shpëtim: Them se do i rregullojmë gjërat.
Brunilda gjithashtu pati një falenderim dhe vlerësim për bashkëpunimin e tij me prindërit. Ajo shprehu se sa shumë do i mungojë profesori Sarës së vogël, sytë e së cilës janë mbushur me lot.
Brunilda: Desha të të falenderoj për Dhimitrin dhe Sarën. Sara është shumë e prekur sepse gjithmonë të ka pasur shumë afër.
Shpëtim: Ua kam premtuar që do vijë një tjetër më i mirë apo e mirë.
Brunilda: Po, por ti e di që ajo i ka pasur një çikë më të mira marrëdhëniet.
Dhimitër: Nuk ka më të mirë se ti!
Shpëtim: Faleminderit!
Më pas, erdhi radha e Dhimitrit dhe Amelias.
Dhimitër: Nuk do lëmë pa harruar të gjitha sakrificat që ke bërë për ne, jo vetëm për klasën e Sarës dhe timen, por edhe për të gjithë brezat që ke kaluar dhe ke qenë shumë mësues i mirë, i sjellshëm dhe shumë korrekt.
Amelia: Unë doja të të falenderoja nga zemra mësues Shpëtimi për gjithçka që ke bërë për të gjithë pasionin që ke bërë për detyrën tënde të shenjtë.
Surpriza nuk mbaroi me kaq pasi përqafimit iu bashkuan edhe shumë nxënës të dikurshëm të profesor Shpëtimit, nxënës aktualë si dhe kolegë të vjetër e të rinj duke ‘vulosur’ një fund plot dashuri për karrierën e tij./tvklan.al