Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit pret që pasditen e kësaj të enjte (07 Janar) dhe nesër (08 Janar) të ketë reshje shumë intensive në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër.

Në qarqet Durrës, Tiranë dhe Elbasan priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive, ndërsa në qarqet Fier, Berat dhe Korçë mesatare deri lokalisht intensive.

Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata. Në veri dhe lindje në lartësitë mbi 600 metra reshjet do të jenë në formë bore.

Sipas llogaritjeve të IGJEUM, përgjatë datave 7-11 Janar 2021 do të reshje shumë intensive, pothuajse në të gjithë territorin. Nga llogaritjet hidrologjike, këto reshje do të sjellin rritje të rrezikshme të prurjeve në lumenjtë e mëdhenj dhe të mesëm Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë.

Përmbytje mund të shkaktohen nga lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës me prurjet maksimale të cilat parashikohen të arrijnë zonat e rrezikuara në datën 12 Janar 2021.

Lumenjtë Mat, Ishëm, Erzen dhe Shkumbin do i arrijnë prurjet maksimale në fundin e datës 8 dhe 9 Janar 2021. Lumenjtë Seman dhe Vjosa parashikohen të rrezikshëm por me probleme më të vogla lokale të përmbytjeve.

Shkalla e rrezikut nga përmbytjet lumore do varet edhe nga sasia e shkrirjes së dëborës si pasojë e rritjes së temperaturave. Përmbytje urbane dhe rrëshqitje të dherave mund të ndodhin gjithashtu në pothuajse të gjitha qarqet./tvklan.al