Claudia Sheinbaum me origjinë hebreje është zgjedhur presidentja e parë grua në Meksikë. Ajo korri një fitore dërrmuese me 60 % të votave.
Kjo i jep asaj një epërsi prej më shumë se 30 pikë përqindjeje ndaj rivales së saj, biznesmenes Xóchitl Gálvez. Sheinbaum do të zëvendësojë presidentin në largim Andrés Manuel López Obrador, më 1 Tetor.
“Do të kemi një qeveri të ndershme, pa ndikime, pa korrupsion dhe pandëshkueshmëri. Qeveria jonë do të ketë masa shtrënguese, disiplinë financiare dhe fiskale dhe me autonomi për Bankën e Meksikës. Nuk do të ketë rritje reale të çmimeve të karburantit dhe energjisë elektrike. Ne do të mbajmë ndarjen e nevojshme midis pushtetit politik dhe atij ekonomik.”
Mbështetësit e saj mbushën rrugët e Meksikës duke valëvitur pankarta ku lexonin “Claudia Sheinbaum, presidente”.
Fitorja për Sheinbaum është një hap i madh për Meksikën, një vend i njohur për kulturën e tij dhe shtëpia e popullsisë së dytë më të madhe katolike në botë. Përpara se të kandidonte për presidente, zonja Sheinbaum ishte kryetare e qytetit të Meksikos, një nga postet më me ndikim politik në vend.
Edhe pse në garë ishin dy kandidate gra fushata u shoqërua edhe nga sulme të dhunshme. Përveç një presidenti të ri, votuesit zgjodhën edhe për anëtarët e Kongresit të Meksikës dhe guvernatorët në tetë shtete, kreun e qeverisë së qytetit të Meksikos dhe zyrtarët lokalë.
Ndër sfidat e presidentes së re të Meksikës do të jenë negociatat e tensionuara me Shtetet e Bashkuara mbi flukset e mëdha të emigrantëve që kalojnë Meksikën për në SHBA dhe bashkëpunimi për sigurinë mbi trafikun e drogës.
Klan News