Ngjarja e kobshme që tronditi Shkodrën dhe mbarë vendin vazhdon ende të ketë dritë-hije. Nëna bashkë me fëmijët e mitur u gjetën të vetëmbytur në lumin Buna dhe tashmë janë përcjellë për në banesën e fundit.

Megjithatë, ngjarja e rëndë ka lënë pas edhe shumë pikëpyetje. Nuk janë zbuluar ende dinamikat e ngjarjes apo akti final, por ajo që diskutohet më së tepërmi është se si një nëne mund t’i erren sytë nga hakmarrja për bashkëshortin, saqë të bindë fëmijët e saj për t’u mbytur.

Pikërisht rasti në fjalë dhe disa prej pikëpyetjeve më të mëdha që ka lënë nga pas u diskutuan këtë të mërkurë në studion e Rudina. Gazetarja Enita Mema sjell në vëmendje se rastet kur nënat vrasin fëmijët në shenjë hakmarrje ndaj bashkëshortit nuk janë të padëgjuara në histori.

“Historia ka treguar që nga Medea, nga mitologjia greke dhe në fakt kjo edhe në psikologji, ekspertët mund ta konfirmojnë këtë, njihet si ‘Sindroma e Medeas’. Pra për hir të hakmarrjes ndaj bashkëshortit, nga momentet e një stresi apo të një gjendjeje jashtëzakonisht të fortë emocionale, nëna ndodh që vret fëmijët e saj, vetëm për hakmarrje dhe egoizëm ndaj bashkëshortit. Pra edhe nëse ajo nuk ka vuajtur, pavarësisht se simptomat janë që ka pasur një problem psikologjik… Sepse një njeri normal nuk mund të bëjë një akt të tillë”, tha mes të tjerash Mema./tvklan.al