“Lajm i gëzueshëm”, kështu u shpreh në studion e “Rudina” në Tv Klan gazetarja Enita Mema për rishfaqjen e figurës së njohur të muzikës shqiptare Parashqevi Simaku.
Teksa vlerësoi çdo përpjekje që u bë për identifikimin e saj dhe për t’i ardhur në ndihmë, Enita Mema shtoi se do të ishte më e udhës që kjo temë të trajtohej në mënyrë më të rezervuar, duke mos kursyer as vlerësimet për ikonën e muzikës shqiptare.
Për Enita Memën, Parashqevi Simaku është një grua me dinjitet që është treguar e rezervuar pavarësisht dramave të jetës.
“Pikë së pari, shumë mall. Sepse është një ikonë e fëmijërisë sonë ose e viteve të para të jetës sonë. Ka qenë këngëtarja më e bukur, më e zonja dhe që na gëzonte zemrat. Natyrisht rigjetja është një lajm i jashtëzakonshëm, më krijoi një ndjesi thyerje zemre, por në të njëjtën kohë dinjiteti i saj, përtej dramave dhe traumave se sa dinjitoze është treguar në të qenit e rezervuar gjatë gjithë këtyre viteve. Personalisht e quaj si një gjë të madhe që u gjet, që pati një angazhim të jashtëzakonshëm dhe që qytetarët e duan dhe kjo është një gjë mjaft pozitive, por ndonjëherë dashuria e tepërt të lëndon ose të dëmton. Mendoj se në këtë rast do të kishte qenë më e udhës ose të paktën duke e njohur personazhin e saj do të kisha preferuar që pas momentit të gjetjes gjërat të bëheshin në mënyrë pak më të rezervuar për t’i lënë hapësirë dhe dinjitet akoma më tepër dhe ne shqiptarët të kishim thjesht informacionin që ajo është mirë derisa ta shihnim një ditë që të ishte vërtet e rikthyer tek vetja. Besoj se kjo do të ishte më respektueshme dhe do e respektonte më tepër figurën e Parashqevi Simakut që ne kemi parë gjithmonë”, tha Enita Mema./tvklan.al