Prokuroria e Shkodrës ka kërkuar dënimin me 6 vite burg për Erdgys Arrazin, bashkëshortin e Alma Arrazit e cila u vetëhodh nga ura mbi Lumin e Bunës bashkë me 3 fëmijët e mitur, gjë që solli një tragjedi të rëndë me 4 viktima. Ndërkohë sipas asaj që raporton gazetarja e Klan News, Emi Kalaja, për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi për Arrazin reduktohet në 4 vite burgim.
Ndaj tij rëndojnë dyshimet për akuzën e “shkaktimit të vetëvrasjes” në dëm të bashkëshortes së tij, Alma Arrazi teksa nga hetimet ka rezultuar se Erdgys Arrazi ka shtyrë Almën drejt aktit të vetëflijimit për shkak të sjelljes diskredituese, që ka cënuar dinjitetin e saj.
Sa i takon çështjes së 3 fëmijëve për shkak se autorja e dyshuar e krimit, Alma Arrazi ka vdekur, është pushuar si çështje.
Kujtojmë që Alma Arrazi në datën 3 Maj, pas një takimi që zhvilloi me motrën e burrit në një kafe në Shkodër, me tre fëmijët e saj shkoi drejt urës së Bunës nga ku dyshohet se është vetëhedhur.
Fillimisht u gjet trupi i pajetë i një prej fëmijëve dhe më pas kërkimet nxorën edhe nënën me dy të miturit e tjerë./tvklan.al