Duket se një ndër arsyet kryesore përse hetuesit besojnë se vrasja e efektivit Novruz Cenalia erdhi si pasojë e një konflikti të çastit është dëshmia e nënës së autorit të dyshuar të ngjarjes. Ajo ndodhej në makinë më të birin 23-vjeçar Azgan Mërnica, kur ndodhi vrasja.
Sipas asaj që raporton gazetari Besar Bajraktaraj, në polici gruaja ka thënë se dy të rinjtë janë zënë për kalimin në rrugën e ngushtë të fshatit. Fillimisht debatuan në makinë, më pas zbritën dhe u përballën jashtë. Në këtë moment gruaja thotë se u bëri thirrje duke u thënë “mos, mos”, disa herë, por i biri i saj nxorri pistoletën dhe qëlloi për vdekje efektivin 28-vjeçar.
Sipas gazetarit Bajraktaraj, grupi hetimor ka përjashtuar dy prej pistave që u ngritën në fillim që vrasja mund të jetë si hakmarrje për ngjarjen e ndodhur në vitin 2005 në Has, por edhe pistën tjetër që mund të jetë hakmarrje për arrestimin e vëllait të autorit nga babai u viktimës lidhur me vrasjen e Florian Selimit në vitin 2019.
Novruz Cenalia mbeti i vdekur në vend me një plumb pistolete në kokë. I riu ishte pjesë e repartit Shqiponja dhe po shkonte në punë kur ndodhi ngjarja e rëndë. Që prej atij momenti 23-vjeçari Azgan Mërnica vijon të mbetet të arrati.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e së hënës në fshatin Balzës të Fierit. Për kapjen e autorit policia vijon kontrollet masive dhe ka vënë në dispozicion edhe një shumë prej 30 mijë eurosh për këdo jep informacione të vlefshme për vendndodhjen e tij./tvklan.al