30 mijë euro shpërblim ka vënë Polica e Shtetit për këdo që jep informacione të vlefshme për kapjen e Azgan Mërnicës. 23-vjeçari është në arrati që prej orës 13:15, kur qëlloi për vdekje me armë zjarri efektivin e policisë Novruz Cenalia, vetëm 28-vjeç.

“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në fshatin Baltëz, ku u vra me armë zjarri, punonjësi i Policisë (jashtë shërbimit), shtetasi Novruz Cenalia, Policia e Shtetit kërkon ndihmën dhe bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin e autorit të dyshuar të vrasjes, shtetasit Azgan Mernica (në foto), 23 vjeç, banues në fshatin Sulaj. Kushdo që ka informacion të telefonojë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin. Për çdo informacion të vlefshëm, Policia e Shtetit vë në dispozicion shpërblimin 30 000 euro“, tha policia në një informacion për mediat.

Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Baltëz të Fierit, gjatë kohës kur efektivi po shkonte për në punë.

Zyrtarisht policia thotë se shkak për këtë vrasje dyshohet të jetë bërë një konflikt i çastit. Viktima dyshohet se e ka parakaluar të riun dhe ky i fundit e qëlloi me pistoletë në kokë, duke e lënë të vdekur në vend.

Megjithatë hetuesit nuk përjashtojnë edhe pista të tjera. Kjo pasi si autori ashtu sikurse viktima ishin me origjinë nga Hasi. Babai i 28-vjeçarit, me profesion po ashtu efektiv policie, mësohet se në kushtet e vetëmbrojtjes kishte vrarë në 1997 fqinjin e tij.

Që prej asaj kohe, familja Cenalia ishte larguar për t’u vendosur në Fier, dyshohet për shkak të gjakmarrjes.

Efektivi Novruz Cenalia kishte rreth 3 vjet që ishte pjesë e policisë. Aktualisht ai ishte pjesë e repartit “Shqiponja”. Vrasja e tij ka ngritur në këmbë Policinë e Shtetit, që po punon për të kapur autorin e dyshuar të ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave të plota të saj.

“Ndërkohë, shërbimet e Policisë së Fierit, Forca Kombëtare e Sigurisë dhe Reparti Special “RENEA”, në drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, vijojnë veprimet operacionale në zonë, me qëllim kapjen dhe vënien në pranga të 23-vjeçarit. Gjithashtu, në të gjitha akset rrugore lidhëse me qarkun Fier janë ngritur pika kontrolli. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendngjarje për të sqaruar dhe dokumentuar me prova ligjore rrethanat e rastit”, thotë policia në njoftim./tvklan.al