Ky është autori i dyshuar i ngjarjes së rëndë në Baltëz të Fierit ku u vra polici Novruz Cenalia. Azgan Mërnica, 23 vjeç, dyshohet se e qëlloi me armë zjarri efektivin e “Shqiponjave” pas një konflikti të çastit sipas policisë. Por gazetarja Sefa mëson se viktima dhe autori i ngjarjes janë me origjinë nga Hasi dhe shkak për ngjarjen dyshohet të jetë bërë gjakmarrja.
Policia është vënë në kërkim të tij. Në terren ka zbritur edhe “Renea” me qëllim kapjen e tij. Në një prej lagjeve të Fierit është gjetur e braktisur makina me të cilën ai u largua pasi ekzekutoi efektivin e policisë.
Nuk përjashtohet mundësia që i riu të jetë ndihmuar nga persona të tjerë pasi ka braktisur automjetin në Fier.
Cenalia ishte veshur me uniformën e policisë, duke shkuar për të marrë turnin e punës kur u vra. Policia po vijon hetimet për të zbuluar rrethanat e plota të ngjarjes./tvklan.al