Federata Shqiptare e Futbollit dënon shfaqen e flamujve shqiptarë të përmbysur dhe koret raciste në takimin ndaj Çekisë në stadiumin e Pragës. Federata e quajti këtë akt të rëndë, një sulm të hapur ndaj vlerave të futbollit dhe respektit midis kombeve.

“Koret raciste dhe përdhosja e flamurit shqiptar janë të patolerueshme dhe nuk i takojnë fushës së futbollit. Federata Shqiptare e Futbollit dënon fuqimisht çdo formë të racizmit dhe fyerjes ndaj simboleve kombëtare dhe do të dërgojë një notë proteste në UEFA, duke kërkuar masa të menjëhershme disiplinore.”

FSHF sqaroi se reagoi menjëherë që në pushimin e pjesës së parë duke u kërkuar organizatorëve marrjen e masave të menjëhershme ndaj këtyre akteve për të mos radikalizuar veprimet me ndërprerjen e lojës Reagim pati edhe te futbollistët në fushë.

Mirlind Daku: Unë për shembull kam komunikuar me gjyqtarin. Këtu nuk i hoqën. Unë jam edhe më i riu këtu dhe nuk mund t’i marr vendimet për të ndalur ndeshjen. E drejta ime ishte vetëm t’i tregoja gjyqtarit. I tregova se këto flamuj janë provokues ndaj lojtarëve. Por nuk u hoqën.

Krahas flamujve shqiptarë pati edhe ata ku territori i Kosovës ishte me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe parrulla me mbishkrime Kosva është Serbi. Pritet tani reagimi i Komisionit të Disiplinës së UEFA-s që në bazë të rregullores duhet të dënojë këtë akt diskriminues.

Tv Klan