Pas thirrjes së Kryeministrit Edi Rama drejtuar efektivëve të policisë, për angazhim pas orarit të punës në fushatë elektorale, ka reaguar edhe Ministri i Brendshëm teknik, Dritan Demiraj.
Në një dalje për mediat, ai tha se policia e ka të ndaluar që të mbështesë apo të marrë pjesë në fushatën elektorale të partive politike. Ministri Demiraj theksoi se përfshirja e policisë në fushatë është vepër penale, që dënohet me 1 deri në 5 vite burg.
“Shpërdorimi i autoritetit policor nga punonjësi i Policisë së Shtetit ose i Policisë së Burgjeve për të influencuar në mbështetjen e një partie politike ose kandidati në zgjedhje, nëpërmjet mosushtrimit të funksionit me paanësi sipas ligjit, pjesëmarrjes në veprimtari politike të një partie politike ose kandidati në zgjedhje, me kryerjen e çdo veprimi ose dhënien e urdhrave, këshillave apo çdo lloji tjetër propagande që favorizon një parti politike ose kandidat në zgjedhje, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në pesë vjet.”
“Më lejoni t’ju bëj me dije se Policia e Shtetit është në monitorim të rreptë prandaj i ftoj të gjithë punonjësit e saj që të respektojnë çdo gërmë të ligjit përndryshe masat do të jenë proporcionale me shkeljet e kryera”
, tha Demiraj duke paralajmëruar ndëshkim për këdo që bën të kundërtën.
Më herët, thirrjen e Kryeministrit e dënoi ashpër nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama./tvklan.al