Përfundimi i zgjedhjeve lokale do të shënojë fillimin e një procesi tjetër politik në Kosovë.

Ndërrimet në kabinetin qeveritar do të jenë pashmangshme nëse do të respektohet marrëveshja më e re, siç aludojnë mediat, mes Hashim Thaçit, kryetar i PDK-së dhe liderit të LDK-së, Fatmir Sejdiut.

Presidenti i vendit, i cili ka qenë vet aktor në këtë marrëveshje të partnerëve në koalicion, të hënën dëshiroi ta respektojë Kushtetutën e Kosovës, e cila ia ndalon atij të merret me punët e partisë.

Fatmir Sejdiu: “Është çështje e partnerëve të koalicionit se çfarë bëjnë veprimet e mëtejshme. Unë s’dua të hyj në punë të tyre. Pyetni LDK-në. LDK-ja iu jep përgjigje”.

Dhe për këtë u pyet LDK-ja. Eqrem Kryeziu, nënkryetar i parë i kësaj partie, tha se ndërrimet mund t’i bëjë Hashim Thaçi, por jo pa pëlqimin e LDK-së.

Eqrem Kryeziu: “Rifreskimi i kabinetit nuk është një tabutim. Vetëm se me pëlqimin e partnerëve të koalicionit bëjnë këtë”.

Ndryshimet e mundshme në qeveri, sipas zv. kryeministrit të Kosovës, Hajredin Kuçi, do të jetë transparente nëse ato do të ndodhin.

Hajredin Kuçi: “Ne jemi shumë transparent në kohën kur mendojmë një gjë të tillë dhe kur veprojmë ju do ta merrni vesh”.

Lëkundjet që pësoi koalicioni qeverisës, sipas Kuçit, nuk qojnë në destabilizimin e koalicionit mes LDK-së dhe PDK-së.

Po ashtu Kuçi, përjashtoi mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme, pasi zgjedhjet e Nëntorit, sipas tij kanë u kanë treguar partive vendin se ku janë ato./tvklan.al