Viti 2024 është mbyllur në mënyrën më të keqe të mundshme për Gianluigi Donnarumma-n. Portieri italian, pësoi një dëmtim të frikshëm në sfidën ndaj Monaco-s, pasi u godit me taka në fytyrë, nga mbrojtësi Wilfried Singo.
Italiani u detyruar të zëvendësohej në minutën e 23-të, ndërsa mori plot 10 qepje në fytyrë, për shkak të çarjeve të mëdha.
Episodi shkaktoi polemika të mëdha në Francë, për shkak se arbitri François Letexier, nuk e ndëshkoi me karton Singo-n.
Sipas asaj që raportohet nga “RMC Sport”, Donnarumma ishte i zhgënjyer pas ndeshjes, duke shpërthyer ndaj arbitrit në dhomat e zhveshjes. 25-vjeçari nuk i kurseu akuzat ndaj Letexier, për mosdhënien e asnjë kartoni si ndëshkim. Megjithatë, gjyqtari shpjegoi vendimin e tij, duke e cilësuar si përplasje të rastësishme në fushë.
Në krahun tjetër, mbrojtësi i Monaco-s, Wilfred Singo, kërkoi ndjesë ndaj portierit. “Dëshiroj t’i kërkoj falje Gianluigi Donnarumma-s. Gjesti im padyshim nuk ishte i qëllimshëm, vetëm më vonë arrita të shikoja se ai kishte një plagë të rëndë. I uroj shërim të shpejtë”, ka shkruar Singo. /tvklan.al