Zëvendës kryeministrja Belinda Balluku ka inspektuar këtë të martë në Himarë punimet për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve, i cili sipas saj do të ofrojë mbulim 100% të subjekteve tregtare në gjithë rajonin e jugut.

“Do të bëhet një punë shumë e mirë me përfundimin e lotit 3 të “Programit IV”. Ne do të vazhdojmë pasi bëhet fjalë që do të trajtohet e gjithë pjesa e jugut. “Programi IV” është një program kompleks. Parashikohet që të ketë ndërhyrje edhe në zonat e tjera, siç është pjesa e Orikumit, pjesa e Dukatit, për të cilën duhet të jemi të përgatitur tashmë që do të marrë një zhvillim tjetër për shkak të tunelit”.

E pranishme ishte edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro për të cilën ky investim i përgjigjet jo vetëm kapaciteteve aktuale, por edhe zhvillimit që pritet të ketë zona në të ardhmen.

“Infrastruktura që po ndërtohet sot nuk merr fund me kaq, por ka parashikuar projektin dhe për vazhdimin duke pasur ne parasysh projeksionin e rritjes së numrit të hoteleve. Në Këshillin Kombëtar të Territorit vazhdojmë të marrim propozime nga investitorë privat për të shtuar njësitë akomoduese që do të thotë projeksioni i loteve të tjera në vazhdim do t’i përgjigjet atij trendi”.

Krahas ndërtimit të impiantit, pjesë e projektit është edhe shtrimi i rrjeti të kanalizimeve të ujërave të ndotur, rreth 15 kilometra, në qytetin e Himarës dhe në Himarë fshat, së bashku me lidhjet nëpër shtëpi dhe pusetat.

Tv Klan