Vetëm pak kohë më parë duhej të mendoheshe mirë përpara se të niseshe për në Sarandë dhe të kaloje nga rruga e bregdetit. Përveç se makina juaj do të shkatërrohej mbetej dhe lodhja e një udhëtimi deri në 9 orë për të arritur nga kryeqendra e vendit, në qytetin e skajshëm jugor të Sarandës. Frika nga ndonjë aksident i mundshëm të shoqëronte në çdo metër të saj. Por tashmë këto nuk përbejnë më shqetësim.

Rruga e Rivierës, e quajtur ndryshe rruga e “Diellit” ka përfunduar. Inaugurimi simbolik i saj u bë mesditën e se martës nga kryeministri Berisha. Vetë kreu i ekzekutivit e quajti këtë aks si një nga investimet më të rëndësishme dhe më të shkëlqyera të bëra nga qeveria në favor të turizmit. Dhe me të vërtetë ky është një nga akset rrugore më të rëndësishme të vendit. Disa madje do ta krahasonin me një arterie trupore që i jep jetë kësaj zone.

Qemal Mejliu është pronari i një hoteli të ngritur përgjatë kësaj rruge dhe para kameras shpreh besimin se rruga do t’i sjellë më tepër fitime biznesit të tij e më shumë zhvillim për të gjithë zonën, që konsiderohet si një nga perlat bregdetare të rajonit.

Qemal Mejliu: “Rruga Dhërmi-Sarandë është një rrugë e kohës dhe nja Dhërmiu në Sarandë njerëzit do vejnë të qetë të pinë një kafe. Është një hop i madhe, një ndihmë e madhe shumë edhe për punën edhe për njerëzit që nuk lodhen, ata që merren me biznes nuk lodhen.”

Edhe për Xhelil Xhaferin pronar i një agjencie Real Estate ky aks do të rrisë interesin për pronat e bregdetit të jugut dhe vetë vlerën e tyre.

Xhelil Xhaferri: “Kjo rrugë më ka ndihmuar jashtëzakonisht sidomos me mbarimin aktual e them me bindje të plotë do të jetë një arterie i frymëmarrjes për qytetin e Sarandës dhe për rrethinat e bregdetit

dhe unë  e shikoj këtë vit biznesi ka filluar një rrjet më interesante.”

Kjo rrugë, një prej segmenteve më të rëndësishëm të infrastrukturës rrugore të vendit, ka standardet më të larta në ndërtim dhe siguri. Pjesa më e madhe e skarpateve janë izoluar me rrjeta për të penguar rrëshqitjen e dherave.

Nga Dhërmiu në Sarandë ajo ka një gjatësi prej 80 kilometrash një trase prej 6.5 metrash dhe ka kushtuar rreth 3.6 miliardë leke.

Tek këta banorë kënaqësia për ndërtimin e kësaj rruge ka ndezur imagjinatën e ndoshta pak me tepri.

Banori 1: “Është njëlloj si kur i thua një qorri si të duket tani që more sytë. Është një ëndërr të themi shekullore të cilën bregdeti e ëndërronte. Tani na duken çudi, por do ti japë një frymëmarrje bregut dhe do ta kthejë me të vërtetë në një Dubai të dytë.”

Banori 2: “Kjo rruga është e mrekullueshme në krahasim si Franca.”

Të gjithë besojnë se kjo rrugë do të ketë efekte të shpejtë në përmirësimin e jetës së tyre. Përgjatë saj bizneset kanë nisur të shtohen, siç janë shtuar edhe turistët në këtë kohë.

“Pas kaq vitesh rruga është bërë një mrekulli e vërtetë një autostradë. E gëzojmë jo vetëm neve që rrojmë këtu, po gjithë të tjerët sepse është shtuar turizmi.”

“Është bërë shumë e bukur, ka krijuar shumë kushte për lëvizjen e automjeteve, gjithashtu ndihmon shumë edhe për kohën e turistëve  se edhe rruga është shumë e shkurtër edhe mund të lëvizësh edhe shpejt dhe në kohë shumë të shkurtë.”

“Një rrugë e mirë e standardeve, një rrugë që më gjithë mend është një vepër e madhe. Vepër shumë e mirë.”

“Dhërmi-Sarandë shumë e rëndësishme, jetike.”

Tashmë, bukuritë e këtij bregdeti janë lehtësisht të arritshme me Dhërmiun, Himarën, Jalin, Borshin, Vunoin, Qeparoin, Lukovën, këto perla të Jonit, ku çdo vit pushojnë qindra mijëra shqiptarë e të huaj./tvklan.al

Gazetar: Eno Luarasi