Në mbarë vendin është zhvilluar provimi i Gjuhë-Letërsisë. Sipas Ministrisë së Arsimit testimi u krye pa probleme nga ora 10:00 deri në orën 12:30 minuta. Megjithatë në Korçë provimi ka ndaluar për rreth 30 minuta në shkollën e gjuhëve të huaja, pas pretendimeve të nxënësve se pyetjet nuk përputheshin me orientimet që kishin marrë gjatë vitit të fundit.
Në një tjetër qytet në Durrës, kamera jonë ka filmuar masat e rrepta, për të siguruar mbarëvajtjen e procesit. Shpërndarja e teksteve ka nisur prej orës 22:00 të së dielës nga Tropoja për të përfunduar në 06:00 të mëngjesit të së hënës në Tiranë. 33.400 maturantët u mbikëqyrën nga 2 mijë administrator.
Nxënësit e gjimnazit “Qemal Stafa” tregojnë se pyetjet e testit nuk ishin aq të vështira, sa i kishin parashikuar.
Nxënësi: “Pyetjet ishin të punuara dmth në shkollë dhe gjithsekush mund të jepte një përgjigje”.
Nxënësja: “Me alternativa ishin të thjeshta, po dhe ato me zhvillim mua personalisht më janë dukur të përballueshme për nivelin tonë”.
Brikena Kollçinaku: “Testet e plotësuara me të njëjtat masa sigurie do të nisen në drejtim të shkollës “Sabaudin Gabrani” në Tiranë, ku do të shpërndahen për t’u korrigjuar në 4 qendra korrigjimi”.
Korrigjimet do të nisin ditën e enjte dhe do të realizohen nga 155 vetë./tvklan.al
Gazetare: Daniela Kostandini
Operator: Klodian Keçi