Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Ky shpërthim 6 muaj më parë në Qafën e Llogarasë, ka shënuar fillimin e punës, nga brigada xheniere e ushtrisë për fillimin e punimeve të rrugës së bregut, iniciativë kjo e vetë kryeministrit Meta. Sot ushtria ka dorëzuar punimet, të cilat do të vazhdojnë punimet nga firmat e specializuara. Janë rreth 13 kilometra terren malor, ku gjerësia e rrugës, nga 2.8 metra me ndërhyrjen e bërë është zgjeruar deri në 8 metra në rrugë normale dhe 25 metra në rrugë me kthesa.

Gjatë 140 ditëve punë, janë harxhuar vetëm 60 milion lekë nga buxheti i shtetit, ndërsa preventivi ishte përcaktuar në 142 milion. Komandanti i brigadës xheniere ndërtuese, tregon për punën në këto 6 muaj. Vlen të përmendet që në këtë aks rrugor nuk ishte ndërhyrë që nga viti 1914. Vetë kryeministri Meta ka premtuar, se brenda një kohe të shkurtër përveç rrugës së nisur tashmë Llogara-Palasë, qeveria ka dhënë një fond prej 400 milion lekësh për rrugët Orikum-Llogara dhe Llogara-Dhërmi.

Kryeministri Ilir Meta:- “Jam i sigurt që kjo punë e madhe që ju keni bërë, me periudhën më të vështirë të dimrit, duke u përballur jo vetëm me shkëmbin, por edhe me erën e fortë të Llogarasë, do të çmohet gjithmonë si një vepër e madhe që ushtria ka bërë dhe si një vepër që do t’u mbetet banorëve të zonës, qytetarëve të këtij vendi, për të cilët kjo zonë ka një rëndësi të veçantë dhe mundësitë fantastike që ka për zhvillimin e turizmit”.

Brenda datës 10 Maj pritet që të fillojë asfaltimi i kësaj rruge dhe më pa meremetimi i gjithë rrugës së bregut, nga Vlora deri në Sarandë./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego