Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Pak orë para vizitës në Tiranë të Sekretarit Amerikan të Shtetit Kolin Powell, në zyrat vendimmarrëse të shtetit shqiptar dhe të ambasadës së SHBA, po punohet për të detajuar çdo lëvizje të shefit të diplomacisë amerikane dhe punohet jo pa eufori dhe entuziazëm. Një eksperiencë e tillë është provuar me vizitën e Madlen Ollbrajt në kryeqytetin shqiptar, por prania e zotit Powell kësaj radhe merr një tjetër një tjetër domethënie.
Zonja Ollbrajt erdhi në Tiranë në një moment kyç për Kosovën, ndërsa pasardhësi i saj Powell, mbërrin një ditë pasi presidenti Bush, shpall përfundimin e luftës në Irak. Entuziazmi duket i ngjashëm gati me atë të vitit 1991, kur ish-sekretari i shtetit James Baker, manifestonte me shqiptarët në sheshin “Skënderbej”. Dhe si pjesë e koalicionit anti-terror, autoritetet shqiptare kanë të drejtë të gëzojnë, pasi duke filluar nga Presidenti Moisiu, Kryeministri Nano, Ministri i Jashtëm Meta, ishin ndër të parët politikanë të Ballkanit, që përkrahën hapur luftën amerikane në Irak.
Një tjetër veprim të fortë, pro amerikan, do të marrë nesër sërish kryeministri Nano, kur të firmosë me sekretarin amerikan të shtetit marrëveshjen, për të mos dorëzuar në gjykatën penale ndërkombëtare shtetasit amerikanë rezident në Shqipëri. Kjo është një nga pjesët më të rëndësishme të agjendës së zotit Powell, ku për shkak të sigurisë, mund të ndodhin edhe ndryshime të minutës së fundit.
Ai do të mbërrijë në mesditë në aeroportin e Rinasit dhe pas një qëndrimi në Ambasadën Amerikane, do të fillojë takimet me krerët më të lartë të shtetit shqiptar. Rreth orës 14:30, Powell do të nënshkruaj me kolegun e tij shqiptar Meta dhe dy ministrat e jashtëm maqedonas dhe kroat, kartën “Adriatik 3”, ku konfirmon mbështetjen amerikane, që tre vendet Ballkanike të përshpejtojnë anëtarësimin në NATO.
Një ceremoni e veçantë është parashikuar për sekretarin amerikan të shtetit, me dekorimin e tij nga presidenti, me urdhrin e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, ku janë të ftuar të marrin pjesë dhe të gjithë kryetarët e partive parlamentare shqiptare. Kjo është hera e dytë që Kolin Powell viziton Shqipërinë. Për herë të parë ai shoqëronte ish-presidentin Xhorxh Bush në takimin privat në bregdetin e Vlorës me presidentin e asaj kohe Sali Berisha./tvklan.al
Gazetare – Elona Meço