Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Vazhdon të shkaktojë viktima superstrada Fushë Krujë-Milot. Aksidenti më i fundit ka ndodhur paraditen e sotme. Rreth orës 10:00, dy furgona të cilët lëviznin në drejtim të kundërt, janë përplasur duke shkaktuar 4 të plagosur, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë për jetën, që janë dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak të Tiranës.
Furgoni me targa Kosove, i cili drejtohej nga Dukagjin Bardhi nga Gjakova është përplasur me furgonin me targa Tirane, drejtuar nga një shtetas nga Fushë Kruja, në një kryqëzim të fshatit Derven. Ndërkohë që nuk dihen ende shkaqet e vërteta të këtij aksidenti.
Po sot rreth orës 12 të mesditës, një tjetër aksident rrugor ka ndodhur në superstradën Fushë Krujë-Milot. Si rezultat i shpejtësisë së madhe në afërsi të kryqëzimit të rrugës së Patokut, dy autovetura janë përplasur, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve.
Fuat Hoxha, oficer i policisë gjyqësore, në drejtorinë e policisë së Qarkut të Lezhës, me gjithë ndihmën e menjëhershme që i është dhënë, duke u transportuar me helikopter nuk ka mundur të mbijetojë. Ndërkohë që janë plagosur rëndë dhe drejtuesi i automjetit tjetër, Elvis Rexhepi 23 vjeç dhe Ismete Nimani, e cila udhëtonte në të njëjtën makinë me 42 vjeçarin Hoxha./tvklan.al
Gazetare – Elja Zotka