Prej më shumë se 2 muajsh që kanë nisur punimet për rikonstruksionin dhe zgjerimin e disa segmenteve në aksin e superstradës Fushë Krujë-Milot rruga duket se është bërë një problem për automjetet të cilat kane vështirësi në qarkullim.

Ndonëse ka raste kur vargu i makinave shkon me kilometra të tërë një problem tjetër shqetësues mbetet dhe lëvizja gjatë natës.

Mungesa e sinjalistikës ndriçuese jo në pak raste ka shkaktuar dhe aksidente me pasoja.

“Ndriçim nuk ka kjo rruga këtu edhe duhet të asfaltohet, të paktën një asfalt kështu paraprak. Kur punohet ditën këtu ka bllokim rruge, ka faktikisht bllokim rruge.”

“Vështirësi kemi që nga Fushë Kruja e deri te rruga e Patokut kemi shumë vështirësi.”

“Duhet të punojmë më shumë natën për mendimin tim sesa ditën, mbushjet për shembull duhet t’i bëjnë natën ata i bëjnë edhe ditën sepse varet se si i kanë projektet e punës së vet.”

Edhe pse është urdhëruar të punohet gjatë natës kjo praktike nuk po zbatohet në asnjë rast në aksin problematik të superstradës së veriut, e cila jo më kot është quajtur superstrada e vdekjes pasi shumë jetë njerëzish kanë humbur gjatë këtij segmenti prej 25 km./tvklan.al