89 vjet më vonë shtëpia e patriotit, Kasëm Fuga, ku u mbajt Kongresi i Lushnjës ka ndryshuar fare pak nga dita kur në të delegatë nga i gjithë vendi rikonfirmuan pavarësinë e brishtë të shtetit shqiptar zgjodhën qeverinë e re dhe shpallën ngritjen e parlamentit të parë në vend.
Në përvjetorin e kësaj ngjarje të madhe shtëpinë e kongresit e vizituan personalitete të shumta nga vendi dhe Diaspora.
Zv/Ministri i Kulturës, Ekrem Spahia, shfrytëzoi këtë aktivitet për të kërkuar nga historianët rishikimin e historisë dhe ndryshimin e teksteve shkollore.
Ekrem Spahia: “Do të dëshiroja që në veçanti të gjithë nxënësit e shkollave të vijnë ta vizitojnë në shtëpinë muze ku u mbajt Kongresi i Lushnjës, ndërkohë që bëjmë edhe një thirrje që të rishikohet historia duke filluar me ndryshimin e tekstit të historisë që është edhe një nga objektivat dhe synimet e qeverisë Berisha”.
Autoritetet lokale në Lushnjë kanë kërkuar nga parlamenti shpalljen e 21 Janarit festë kombëtare.
Alfred Dhamo: “Kongresi kombëtar i Lushnjës si ditë që është data 21 Janar akoma nuk është festë zyrtare. Nga Bashkia e Lushnje dhe nga administrata e kaluar është kërkuar që të ketë një rëndësi të veçantë, të ketë një vëmendje më të madhe nga pushteti qendror”.
Me rastin e kësaj dite u mbajtën aktivitete të ndryshme kulturore dhe sportive, të cilat u ndoqën nga qytetarë të shumtë./tvklan.al