Ndarja nga jeta e kantautorit Kujtim Prodani ka prekur shumë njerëz. Një ndër ta është edhe drejtuesi i emisionit “Zonë e Lirë”, Arian Çani. Ai kishte zgjedhur që këtë të premte të niste emisionin me një homazh ndaj kantautorit që u nda nga jeta për shkak të koronavirusit.
Çani kishte vendosur të vendoste Kujtim Prodanin herën e fundit që kishte qenë në “Zonë e Lirë” ku promovonte një këngë për miqtë e humbur para kohe për shkak të Covid.
“Është momenti që të bëjmë një homazh për një artist, i cili dukej se rrinte në periferi, por të gjithë kolegët e tij e donin shumë. Një djalë, të cilit i vdiq e ëma që e deshi aq shumë, Anita Take e famshme. I vdiq para ca kohe. Erdhi këtu e qamë në një farë mënyre të ëmën. Na iku dhe Kujto i shkretë. Gjithë dynjaja në rrjetet sociale ishte dëshpëruar shumë nga Kujtimi. Ishte njeri shumë i mirë, vinte shumë shpesh tek unë. Vinte 12 minuta Agron, bënte promovimin e klipit. Kishte një delikatesë edhe pse kishte një trup të madh. Iku, e hëngri Covid-i. Ja çfarë ka thënë dhe ky është homazhi im për sonte për Kujtimin dhe gjithë miqtë e Kujtimit dhe ju që e keni dashur shumë. Ja çka thënë në këtë studio Kujtim Prodani pak javë më parë”, tha Çani.
Në Mars të 2020, kantautori Kujtim Prodani jepte mesazhin e tij ndaj qytetarëve për situatën e pandemisë. E në fund të këtij homazhi Arian Çani u shfaq i emocionuar dhe i përlotur.
Kujtim Prodani: Do ikim të gjithë nga kjo botë, do iki dhe unë.
Arian Çani: Mund të ikim dhe ne nga Corona.
Kujtim Prodani: Jo atë s’e besoj, më lër të bëj ca albume të tjera se nuk ka. Po pashë te e kuqja unë impresionohem. Të dashur miq do ta kalojmë dhe këtë, ju uroj të keni durim, por do kalojë se s’ka si të kalojë ndryshe. Boll deri këtu. Hej mik, nuk e lashë kollaj deri në fund, bëni kujdes, kujdesin për shëndetin tuaj që kjo këngë të këndohet sa më rrallë./tvklan.al