Ministri Basha u ka premtuar banorëve të Shushicës, të zhgënjyer nga deputetja e tyre Valentina Leskaj, se me Partinë Demokratike ata do të kenë përkujdesjen e qeverisë siç ka dëshmuar në këto 4 vite. Ujë në çdo shtëpi, asfaltim në çdo rrugë dhe 5 fishim i grandeve ka premtuar Basha në Shushicë.
Lulzim Basha: “Ju drejtohem socialistëve të Shushicës dhe ju them ju që ndiheni të zhgënjyer dhe të tradhtuar nga mungesat e alternativës, nga fjalët boshe. Ejani dhe ju me ne, votoni dhe ju 10, dhe duke votuar 10 ju votoni për Shqipëri pa viza, për Shqipëri me rrugë. Duke votuar 10 ju votoni rritje të mëtejshme rrogash dhe pensionesh, investime anë e mbanë vendit.”
…
Kandidati i Partisë Socialiste në Korçë, Ben Blushi ka zhvilluar një miting me banorë të disa lagjeve të qytetit. Në fjalën e tij Blushi ka theksuar domosdoshmërinë e ndryshimit të kësaj qeverie e cila në këto 4 vite ka varfëruar jo vetëm Korçën, por të gjithë Shqipërinë.
Ben Blushi: “Unë ju pyes sonte pse është Korça e varfër, pse nuk ka punë për Korçën, pse nuk ka shpresë për Korçën, pse djemtë ikin në emigracion? Pse nuk ka shpresë, nuk ka atë ardhme, nuk ka ekonomi dhe e dini përgjigjja e të gjithëve ne është një dhe vetëm një, sepse Korça si gjithë Shqipëria është qeverisur keq.”
…
Zhvillimi i infrastrukturës rrugore do të jetë në themel të programit të Partisë Demokratike edhe mandatin e dytë qeverisës. Ky ishte premtimi i kandidatit për deputet Sokol Olldashi, në takimet me elektoratin në Teqe, Saratë dhe Karbunar të Lushnjes.
Sokol Olldashi: “Vetëm në 3 javët e fundit ne kemi investuar në pellgun tuaj 12 milion euro për infrastrukturën, për akset rrugore që lidhin qendrat e banuara të kësaj prefekture. Do të vazhdojmë të mbajmë ritëm shumë të lartë investimesh. Por duke qenë se rrugët kombëtare i mbaruam dhe na ka mbetur vetëm një që do ta fillojmë në vjeshtë, rruga nga Konjati, në Pezë dhe në Tiranë , do t’i kthehemi. Ne do t’i kthehemi rrugëve të brendshme të qyteteve. Do t’i kthehemi rrugëve dhe rrugicave të qyteteve tona për të asfaltuar çdo rrugë, çdo rrugicë për të çuar asfalt në çdo portë dhe në qoftë se duam të kemi qytete evropiane duhet tu japim atyre infrastrukturë evropiane.”
…
Kandidatët e Partisë Demokratike për Tiranën Genc Strazimiri, Majlinda Bregu, Rajmonda Bulku, Lajla Përnaska, Viktor Gumi dhe Taulant Bino zhvilluan një takim me banorë të komunës Farkë dhe Njësisë nr. 2 në kryeqytet. Në fjalën e saj ministrja e Integrimit dhe kandidatja Majlinda Bregu para banorëve të Farkës vlerësoi investimet e qeverisë në zonat rurale, si një shembull që duhet ta marrë parasysh bashkia e Tiranës dhe Edi Rama që e kanë lënë kryeqytetin pa gjelbërim dhe me infrastrukturë të rënduar.
Majlinda Bregu: “Duke ardhur këtu sot ne pamë edhe një herë ndryshimin ndërmjet ati zotërisë, i cili na ka detyruar ne në Tiranë që të jetojmë pa gjelbërim edhe mes pallateve dhe një zone e cila është perlë në rrethinat e Tiranës. Gjithë këtë entuziazëm dhe vlerësim që keni për Bardhin, ta interpretoni sikundër votë për kundërshtarët.”
…
Qemal Minxhozi: “Vihen re disa shkelje flagrante të ligjit nga ana e kandidatit të Partisë Demokratike, kryetarit të bashkisë së Klosit i cili garon në këtë garë për deputet. Kjo sjellje politike është në kundërshtim të plotë me ligjin kushtetues ku njëri mandat cenon mandatin tjetër. Kryetari i bashkisë së Klosit duhet të zgjedhë midis mandatit të tij si drejtues i pushtetit vendor dhe mandatit parlamentar. I bëj thirrje Komisionoit Qendror të Zgjedhjeve dhe OSBE-së për të zgjidhur këtë ngërç politik, i cili do të cenonte rëndë standardet e zgjedhjeve në Shqipëri.”
…
Vetëm Partia Poli i Lirisë do të realizojë kërkesat shumë vjeçare të ish të përndjekurve dhe ish-pronarëve që këto vite nuk i ka përmbushur asnjë forcë politike në vend… /tvklan.al