Zv/Presidenti i Bankës Botërore Philipe Le Houerou ka vlerësuar eficencën e menaxhimit nga ana e qeverisë të situatës së emergjencës civile, në zonat e prekura nga përmbytja në Qarkun e Shkodrës. Këtë deklaratë Le Houerou, bëri gjatë një inspektimi në zonat e përmbytura, i shoqëruar nga Ministri i Brendshëm njëkohësisht dhe Kryetari i Komunitetit Ndërministror i Emergjencës Civile Lulzim Basha.

Philipe Le Houerou: “Mora informacionin dhe situatën dhe mbështetja ime shkon së pari për njerëzit dhe bashkohem me banorët e prekur nga përmbytja. Gjithashtu ju informova për situatën e emergjencës. Isha shumë i gëzuar që nuk pati asnjë jetë të humbur. Kjo flet për një menaxhim eficent të situatës. Unë kam qenë në disa situata emergjente dhe është shumë e vështirë që në një hark të shkurtër kohor, të koordinosh dhe të reagosh ndaj informacioneve. Të koordinosh është një detyrë shumë e vështirë dhe qeveria po koordinon në mënyrë shumë eficente”.

Ministri Basha vlerësoi ofertën e Bankës Botërore, për të dërguar një skuadër me ekspertë për vlerësimin e dëmit, si dhe gatishmërinë për të ofruar financime për rehabilitimin e Shkodrës.

Lulzim Basha: “Me zv/Presidentin e Bankës Botërore kemi diskutuar edhe për të nesërmen, ku dua të falënderoj zv/Presidentin për ofertën që përsëriti këtu në Shkodër, pasi e diskutoi atë me Kryeministrin Berisha në Tiranë. Për të dërguar një skuadër të ekspertëve të Bankës Botërore, për të na ndihmuar në vlerësimin e dëmit, duke filluar që nga java që vjen, dhe ç’është më e rëndësishmja për të vazhduar së bashku edhe me financimin e Bankës Botërore, në projektin e rehabilitimit total të kësaj zone, për ta shndërruar këtë sfidë, siç e tha dhe zv/Presidenti, në një oportunitet për të përmirësuar më tej të gjithë parametrat e jetës dhe punës në zonën e përmbytur”.

Ndërkohë situata e zonave të përmbytura është duke shkuar drejt normalizimit të saj. Stabilizimi i motit ka ndikuar në përmirësimin e situatës. Sipërfaqja e mbuluar me ujë është pakësuar me rreth 3 mijë hektar, duke mbërritur në nivelin e 8340 hektarëve, nga 11 mijë e 400 hektar që regjistrohej dy ditë më parë. Pavarësisht përmirësimit të ndjeshëm të kësaj situate, ushtria dhe policia janë në gatishmëri të plotë duke vijuar shpërndarjen e ndihmave për banorët e kësaj zone.

Qytetari: “Kemi pasur ndihmë nga organet e shtetit ditë, natë pa pushim. Me ushtri, me polici, me kryeplak, me qeveri, me tëra forcat i kemi pasur ndihmat. Ushqimi s’na mungon asnjëherë, ndihma pa pushim”.

Qytetari: “… rrallë asnjëherë s’na gjen kush këtu, por unë kam shkuar kam fjetur, kam dalë prej shpie. Jam ngjitur lartë, kam fjetur në shpi … polici, ushtri kanë fjetur nëpër ujë me varka tërë natën i kemi në dispozicion, duke na ruajtur edhe shtëpitë tona. /tvklan.al