Këto pamje apokaliptike ende mbizotërojnë në të gjithë Spanjën. Përmbytjet më të rëndat në dekada i kanë marrë jetën më shumë se 150 personave. Pjesa më e madhe e viktimave janë nga rajoni i Valencias, ku ka më shumë se njëqind, por viktima ka edhe në Castilla-La Mancha dhe Andaluzi.
Kryeministri Pedro Sanchez vizitoi një qendër të koordinimit të shpëtimit ku u bëri thirrje banorëve të bëjnë kujdes.
“E keqja nuk ka kaluar ende kështu që ju lutemi qëndroni në shtëpi, mos dilni jashtë. Dëgjoni rekomandimet e shërbimeve të urgjencës sepse, gjëja më e rëndësishme është që sa më shumë njerëz të jenë të sigurt”.
Ekipet spanjolle të shpëtimit po kërkojnë ende nëpër shtëpitë e përmbytura dhe makinat e bllokuara për personat e zhdukur. Autoritetet lokale nuk kanë bërë të ditur se sa është numri i të zhdukurve, por ministrja e Mbrojtjes, Margarita Robles tha se numri i viktimave pritet të rritet.
Përmbytjet kanë dëmtuar rëndë infrastrukturën e Valencias, duke shkatërruar ura, rrugë dhe shina hekurudhore dhe duke zhytur toka të tëra bujqësore në këtë rajon që prodhon rreth dy të tretat e agrumeve në Spanjë. Përmbytjet i gjetën autoritetet të papërgatitura sipas opozitës e cila akuzoi qeverinë e kryeministrit Sanchez për keqmenaxhimin e situatës, duke bërë që Ministria e Brendshme të dilte me shpjegim dhe të sqaronte se autoritetet rajonale ishin përgjegjëse për masat e mbrojtjes civile.
Nga sot Spanja ka shpallur tre dite zie kombëtare dhe në solidaritet me viktimat edhe flamujt e Bashkimit Europian janë ulur në gjysmë shtize.
Klan News