Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka falenderuar Gisèle Pelicot për forcën që ajo tregoi në gjyqin ndaj ish-burrit të saj dhe 50 të akuzuarve të tjerë.
“Faleminderit Gisèle Pelicot. Për të gjithë ne, sepse dinjiteti dhe kurajoja jote kanë ndryshuar e frymëzuar Francën dhe botën”, tha ai duke e përshkruar si “nismëtare” për gratë.
Ish-burri i Gisèle, mori dënimin maksimal prej 20 vitesh burg për përdhunim pasi rrëfeu se e kishte droguar për thuajse një dekadë dhe ftuar dhjetëra burra për ta përdhunuar ndërsa ajo ishte e pavetëdijshme.
Veç 72-vjeçarit, 50 të akuzuarit e tjerë të moshave 27-74 vjeç morën dënime që varionin nga 3-15 vjet. Gisèle deklaroi se gjyqi ishte i vështirë, por beson në një të ardhme ku burrat dhe gratë mund “të jetojnë në harmoni me respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë”.
Ajo ka marrë urime e fjalë mbështetjeje edhe nga politikanë të tjerë si kryeministri spanjoll Pedro Sánchez dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.
“Sa dinjitet. Faleminderit Gisèle Pelicot. Turpi duhet të ndërrojë anë”, shkroi Sánchez në X duke iu referuar sloganit të gjyqit.
Scholz tha se Pelicot “u zhvesh me kurajë nga anonimiteti në syrin publik dhe luftoi për drejtësi”, ndërsa shtoi: “Ti u ke dhënë grave në botë një zë të fortë. Turpi gjithnjë i mbetet dhunuesit”.
Presidenti i Asamblesë Kombëtare të Francës, Yaël Braun Pivet tha se është thyer një tabu: “Falë teje, bota nuk është më njësoj”./tvklan.al