Qeveria zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme të saj, duke paralajmëruar një përgjigje edhe më të koordinuar ndaj situatës së krijuar në verilindje të vendit si pasojë e përmbytjeve.
13 ditë reshje të fuqishme shiu kanë krijuar situatë të rëndë kryesisht në qarqet Shkodër dhe Kurbin, duke shënuar gjithashtu një rritje me të paktën 100 herë të nivelit të prurjeve të Drinit, që si pasojë rritën me shpejtësi nivelin e liqeneve.
Kryeministri Sali Berisha u kujdes të identifikojë gjatë mbledhjes së qeverisë zonat nën kërcënimin serioz nga përmbytjet, duke theksuar se situata po menaxhohet, por rreziku është ende potencial.
Situata ka angazhuar gjithashtu Forcat e Armatosura dhe Policinë e Shtetit në operacione të evakuimit të banorëve në zonat e përmbytura. Kryeministri Berisha përsëriti dhe një herë thirrjen drejtuar qytetarëve që të largohen nga zonat në rrezik.
Këtu kryeministri paralajmëroi dhe ngritjen e Komitetit Ndërqeveritar për Emergjencat Civile. Kjo strukturë do të shërbejë për menaxhimin e situatës, që do të bëjë të mundur parandalimin e një katastrofe të mundshme përmbytjeje.
Kryeministri dha porosi të veçanta për anëtarët e kabinenit, që konsistojnë në garantimin e zonave të paprekura nga përmbytjet, mbrotje të hidrovoreve, kontroll të argjinaturës së lumenjëve, pa harruar dhe mbatjen nën vëzhgim të pasurisë kulturore.
Gjatë mbledhjes së jashtëzakoshme të qeverisë, kryeministri i bëri thirrje biznesit të socialidarizohet, medias të garantojë transparencën dhe vërtetësinë në pasqyrimin e situatës.
Pranë Komitetit të Emergjencës Civile do të funksionojë dhe një zyrë e marrëdhënieve me publikun, që do të informojë mbi situatën dhe planet për përballimin e saj.
Tv Klan