Pas ndotjes me naftë të ujërave të detit Jon, gjendja sot duket se është përmirësuar. Po ashtu, mësojmë se për të monitoruar situatën në bregdetin e Jonit janë duke kryer inspektimet për sasinë e ndotjes ekipe të Ministrisë së Shëndetësisë, Inspektoriatit të Naftës si dhe të Ministrisë së Mjedisit. Në një intervistë për Televizionin Klan njëri nga drejtuesit e lëvizjes “Mjaft!” është shprehur se instancat shtetërore duhet të marrin masa përpara se të ndodhin ndotje të tilla dhe jo pasi ato kanë ndodhur.

“Qeveria shqiptare nuk duhet të reagojë vetëm kur ka probleme, por duhet që të parashikojë të gjitha llojet e problemeve dhe të jetë e gatshme që t’i eliminojë duke bërë të mundur që ato të mos ndodhin më pëprara dhe jo të alarmohet dhe të vihet në lëvizje gjithmonë pasi ndodhin probleme të tilla dhe pasi ka ndotje.”

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dha këtë prononcim:

“ Neve jemi duke bashkëpunuar, duke përfituar dhe nga ky rast, ne jemi duke bashkëpunuar dhe forcuar marrëdhëniet tona me rojet bregdetare pasi Ministria e Mjedisit ka një marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes në kuadër të fuqizimit dhe bashkëpunimit të inspektoriatit të mjedisit dhe rojeve bregdetare. Ky ishte një rast që tregon që ne duhet ta frocojmë këtë bashkëpunim, jo në mënyrë spontane, por të përhershme.”

Në përmirësimine gjendjes në plazhet e Jonit kanë ndikuar dhe erërat që kanë fryrë gjatë 24 orëve të fundit, të cilat kanë sjellë transportimin e ndotjeve në zonat larg plazheve. /tvklan.al