Kjo është ajo çka lanë pas përmbytjet e pazakonta që përfshinë Vlorën. Situata po shkon drejt përmirësimit pasi uji është tërhequr dhe tashmë të gjithë kanë nisur të bëjnë vlerësimin e dëmeve.
Të gjitha rrugët janë të kalueshme nga mjetet dhe këmbësorët, ndërsa po vijon puna për pastrimin e disa akseve nga inertet dhe heqjen e ujit nga garazhet nëntokësore të disa pallateve.
Uji që vërshoi në rrugët e qytetit përgjatë 4 Tetorit, duke u futur në çdo cep, nuk kurseu as shtëpi, as biznese. Kryetari i Bashkisë, Ermal Dredha thotë se në terren kanë dalë grupe që po bëjnë përllogaritjen e dëmeve që prekën mbi 63 shtëpi, 4 shkolla dhe shumë biznese.
“Ka problematika. Të gjithë ekipet janë në terren, kemi organizuar dhe grupe të veçanta që të ju shkojmë banorëve që janë prekur apo kanë pasur dëme në banesat e tyre.”
Kryebashkiaku thotë se më pas do të vendoset edhe për mundësinë e dëmshpërblimeve.
“Do të bëjmë maksimumin për t’i përfshirë në këtë skemë mbështetje. Do të gjendet formula e duhur, por këtu duam që të jemi të kujdesshëm që edhe bizneset të gjejmë një formë se si mund t’i mbështesim.”
Lagjia Karabash është ndër më të prekurat nga përmbytjet dhe disa shtëpi sipas banorëve janë të pabanueshme.
“Nuk ka shpëtuar asnjë plaçkë, përveç një televizori që ishte mbi komodinë. Përmbytemi dhe kjo nuk është hera e parë.”
“Mbi 10 mijë Euro sepse janë fustane nusërie, çdo gjë është shkatëruar totalisht.”
“Institucionet duhet të bëjnë diçka sepse janë kaq shumë dyqane këtu që janë prishur.”
Reshjet e dendura të shiut përmbytën edhe bibliotekën publike Shefqet Musarai, si dhe kishën Ortodokse.
“Kati i parë i sektorit të librave për fëmijë është komplet i shkatërruar. Megjithatë, kanë shpëtuar shumë.”
Rreth 55 banorë u evakuuan nga banesat e përmbytura nga uji dhe po qëndrojnë në konviktin e universitetit të Vlorës. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, për banorët e prekur janë dërguar 4,5 ton mallra ushqimore, 1,5 ton ujë dhe 200 litra detergjentë.
Tv Klan