Një ditë përpara mbajtjes së konventës së jashtëzakonshme, Lëvizja Socialiste për Integrim ka ritheksuar kërkesën e saj për përshkallëzim të protestave qytetare dhe bllokimin e parlamentit si dhe atë qeverisjes në nivel lokal pas bërjes publike të formulës së re të KQZ-së.
Për numrin dy të kësaj partie Dritan Prifti, formula që i heq të drejtën automatike LSI-së për anëtar në KQZ-së është monopoli i aradhes për të administruar votën e qytetareve dhe një pazar i liderit socialist me kreun e demokrateve.
Dritan Prifti: “Do të përdoren të gjitha mjetet që njeh demokracia. Jo vetëm duke filluar te protesta dhe kthesat e fuqishme, po deri te bllokimi i parlamentit, deri te bllokimi i qeverisjes në nivel lokal e qëndrorë te paralizimi i qeverisjes dhe vjedhjes që po inskenohet nga Rama dhe nga Berisha, pra do përdoren të gjitha mjetet. Unë përdora termin revolucion demokratik dhe vërtet do të jetë një revolucion demokratik sepse ky popull sot ndjehet i shtypur. Kushdo qoftë nga partitë e tjera politike që dëshiron t’i bashkohet kësaj lëvizje të madhe, janë të mirëpritur”.
Por për ish-aleatin e LSI-së, Gjinushin, reduktimi i anëtareve të KQZ-së dhe ai nëpër komisionet e numërimit të votave nuk përbenë ndonjë shqetësim.
Skënder Gjinushi: “Komisionet me 13 veta rezultuan jo efektiv, madje u kthye në një Pazar të hapur të votave edhe në një dushk të dytë, po tani në nivel lokal e rëndësishme është që balanca pozitë-opozitë në të të jetë sa më mirë sepse nuk është KQZ-ja fati i zgjedhjeve. Kurse kush e sheh pastaj që po s’pata unë anëtarë mund të shkojmë deri në barrikada. Sigurisht që do të thotë paragjykon procesin, pra pranon që zgjedhjet do manipulohen dhe ai tani kush të përfitoj më shumë nga manipulimi”.
Në bazë të ndryshimeve të propozuar nga dy forcat e mëdha KQZ do te jetë tashmë një organ i varur krejtësisht nga Parlamenti me një mandat 4-vjeçare dhe numri i anëtareve të tij do te reduktohet në 7./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro
Operator: Klodian Keçi