Vazhdon përplasja mes PS dhe ministrisë së brendshme për çështjen e pajisjes me karta identiteti të qytetarëve pa pasaporta. Pas letrës së dytë së drejtuar këtij dikasteri nga ana e Partisë Socialiste se dy javë përpara përfundimit të procesit të aplikimit të votuesve pa pasaporta në 10 raste numri total i aplikimeve të hedhura në sistem është më i vogël se 10 aplikime, ka reaguar dhe ministria me anë të ministrit Bujar Nishani.
Sipas Nishanit rreth 450 mijë qytetarë pa pasaporta kanë aplikuar për tu pajisur me karta identiteti dhe duke filluar që nga dita e nesërme në zyrat e aplikimit do të pranohen vetëm kjo kategori personash.
Bujar Nishani: “Ashtu siç edhe jemi njohur deri tani opozita në vazhdimësi ka pretenduar që nga grupi i qytetarëve pa pasaportë të pajisen rreth 500 mijë qytetarë. Duke pretenduar që ky është numri
i atyre që ndodhen në Shqipëri. Me rregullin e ri që ne kemi vendosur me koncesionarin dhe duke iu referuar kapaciteteve reale që neve kemi në terren dhe duke pasur parasysh periudhën deri në mesin e muajit qershor është tërësisht e mundshme që të pajisen edhe 400 mijë shtetas të tjerë me letërnjoftimin elektronik. Natyrisht më kushtin e vetëm që ata të jenë në Shqipëri dhe që të paraqiten pranë zyrave të aplikimit.”
Sipas të dhënave të ministrisë së brendshme deri ditën e djeshme janë bërë rreth 1 milion e 132 mijë aplikime dhe janë prodhuar 991 mijë karta identiteti./tvklan.al
Gazetar: Eno Luarasi