Këlliçi: Vendimi antistatutor, nul. Hakmarrje ndaj pjesëmarrjes në “foltore”
Udhëzimi i Lulzim Bashës që hap garën për kreun e ri të FRPD-së dhe strukturat drejtuese të Forumit Rinor ka shkaktuar përplasje mes kryetarit në detyrë Belind Këlliçit dhe selisë blu. Për Këlliçin ky vendim është nul dhe në shkelje të statutit.
“Vendimi i sotëm është i pabazuar qoftë në statutin e PD dhe është përtej kompetencave të kryetarit të PDSH-së, qoftë në statutin e FRPD-së. Është e vërtetë që mandati im ka skaduar. Por ne jemi në të drejtën e ushtrimit të mandatit deri në zëvendësimin tonë përmes një procesi zgjedhor, brenda forumit rinor, të organizuar mbi statutin e forumit rinor dhe deri ne dorëzimin tek trupa e re që do të zgjidhet me një anëtar një votë”, tha Këlliçi.
Partia Demokratike në një reagim të sajin sqaroi se vendimi erdhi në kushtet kur mandati i kryetarit dhe forumeve drejtuese kanë mbaruar që në vitin 2019. Por sekretari i forumit tha se urdhri është hakmarrje ndaj mbështetjes që të rinjtë demokratë i kanë bërë foltoreve të Berishës.
“Ky veprim vjen pas firmosjes së peticionit nga delegatët që vijnë nga Forumi Rinor, 70% janë anëtarë të forumit. Ky veprim vjen menjëherë pasi është marrë vesh kjo gjë. Vjen pasi është marrë vesh pjesëmarrja e kryetarit të FRPDSH te ‘Foltorja’”.
Për zgjedhjet në FRPD-së, Basha ka urdhëruar ngritjen e një grupi pune që do të ndjekë procesin, që përfundon me zgjedhjen e kryetarit sipas parimit 1 anëtar 1 votë. Por ky vendim i kryedemokratit u hodh poshtë në mënyrë unanime nga kryesia e FRPD-së e cila u mblodh në orët e pasdites në selinë blu.
Tv Klan