Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Dogana greke tashmë kërkon vizë për të gjithë emigrantët, të cilët hyjnë në Shqipëri me dokumente, afati i të cilave mbaroi në Qershor të këtij viti dhe që iu premtua se do të hynin sërish në tokën helene.
Vetë emigrantët shprehen se përplasjet vijnë si pasojë e mosardhjes së një urdhri në doganën e shtetit fqinj, për lejimin e kalimit të tyre. Emigrantët janë shumë të revoltuar dhe kërkojnë ndihmën e shtetit shqiptar për t’i dhënë fund sorollatjeve.
Emigranti:- “Na thonë policët grekë, ju lutem shumë, mos dëgjoni pallavrat që jep Televizioni Publik i juaji, po më mirë shkoni nxirrni një vizë dhe nisuni për në Greqi. Këtë mendim tha, ushtari grek. Mos t’ju gënjej mendja të kaloni këtej, të gjitha këto janë për t’u justifikuar, gënjeshtra”.
Gjatë 24 orëve të fundit, në këtë pikë kufitare kanë kaluar për në Greqi 970 persona dhe 259 automjete. Ndërkaq, kanë hyrë në atdhe 1 mijë persona dhe 135 automjete. E vetmja anë pozitive për emigrantët tanë është se bashkia e qytetit të Artës, 180 km larg Kakavijës, ka dhënë viza të veçanta që zëvendësojnë lejet e qëndrimit. Kjo ka mundësuar kthimin normal të një pjese të emigrantëve tanë në Greqi./tvklan.al
Gazetare – Danjela Kostandini