Shënohen sërish incidente në procesin e dytë të rivotimit në Maqedoni. Policia ka arrestuar një person i cili u përpoq të votonte edhe për disa të tjerë në fshatin Bujanë të komunës së Sarajit. Bëhet fjalë për një 20 vjeçar, shofer në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, i cili veç të tjerash ka dëmtuar edhe vulën e komisionit dhe ka shpërndarë fletëvotimet në qendrën e votimit në këtë fshat.
Ndërkaq sipas organizatës qytetare Most, i gjithë procesi është shoqëruar nga parregullsi të shumta në disa vendvotime. Për ambasadorin e Bashkimit Europian në Shkup, Ervan Fuere zgjedhjet parlamentare u tej zgjatën shumë. Ai a kërkuar autoriteteve që të mos përsëriten parregullsi të tilla në të ardhmen.
Procesi i rivotimit në 15 qendra u mbyll në orën 19 ndërkohë që bëhet e ditur se deri në orën 13 kishin votuar 25.64 % e votuesve. Rezultati ka gjasa të ndryshojë raportin e forcave shqiptare dhe do të përcaktojë dhe secila prej tyre do jetë pjesë e ekzekutivit.
I mandatuari për formimin e qeverisë së re Nikola Gruevski deklaroi pak ditë më parë do të presë rezultatet e sotme për të vendosur se kë do të ftojë në koalicionin e tij PDSH-n e Menduh Thaçit apo BDI-në e Ali Ahmetit. E në fakt pas procesit të sotëm zgjedhor do të intensifikohet edhe dialogu mes partive shqiptare dhe Gruevskit./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle