Dy persona, një 31-vjeçar dhe një 18-vjeçare, të dy nga Maliqi janë vënë në pranga nga Policia e Korçës. Sipas autoriteteve dy të rinjtë prodhonin dhe shisnin lëndë narkotike, ndërkohë që lokalin e tyre e kishin shndërruar për përdorim droge.
Prandaj në bazë edhe të informacioneve të siguruara në rrugë policore, policia realizoi aksionin e koduar “Pazari”. Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin që ndodhej në lagjen nr. 8 të Korçës në zonën e “Pazarit të vjetër” u gjetën 73 doza dhe 77 gramë lëndë narkotike e dyshuar heroinë, 30 kapsula metadoni dhe 1 peshore elektronike.
Gjithashtu gjatë verifikimeve të mëtejshme, rezultoi se këta persona në lokalin në përdorim të tyre kishin një punonjëse të paregjistruar në skemën e sigurimeve.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”; “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Punësimi i paligjshëm”./tvklan.al