Një konflikt mes dy kushërinjve për çështje pronësie, ka çuar sërish në pranga Elidon Kotorrin.

49-vjeçari, një emër i njohur drejtësinë, pasi para pak vitesh la qelitë e burgut, pas një dënimi prej 25 vitesh, kësaj here është arrestuar për kundërshtim të punonjësit të policisë.

Burime pranë uniformave blu bëjnë me dije, se Kotorri ka patur konflikt me një të afërmen e tij lidhur me zhvillimin e një prone. Ka qenë pikërisht kushërira e tij që ka kallëzuar 49-vjeçarin në polici.

Pas këtij denoncimi, efektivët kanë shkuar për të marrë Kotorrin, por janë ndeshur me kundërshtinë e tij. Në këto kushte, uniformat blu kanë vënë në pranga atë.

Elidon Kotorri konsiderohet nga Policia si një person me precedent të theksuar kriminal pasi në vitin 2000 ai u dënua për vrasjen e trefishtë në Urën Vasil Shanto.

Në këtë ngjarje u ekzekutuan Andi Hasani, Sokol Alushi dhe Gazmend Zeneli si dhe u plagos Grigor Stefani. Atentati me 3 të vrarë, në atë kohë u dyshua se ndodhi për motive hakmarrje.

Tv Klan