Lojtarët e kombëtares ‘presion’ Kilit dhe Suedisë para miqësoreve të Marsit
Fundjava ka qenë tepër rezultative për futbollistët e kombëtares shqiptare. Sylvinho mori sinjale pozitive nga lojtarët e sulmit, të cilët në total realizuan pesë gola. Myrto Uzuni dhe Sokol Cikalleshi ishin ato që bënë diferencën për skuadrat respektive, duke realizuar një dopietë, ndërsa rrugën e rrjetës vijon ta gjej edhe Rey Manaj.
Treshja e sulmit kuqezi pritet të jenë edhe të grumbulluar për miqësoret e luksit të muajit mars, ndaj Kilit dhe Suedisë. Uzuni shënoi dy herë në humbjen që skuadra e Granadës pësoi 3-2 ndaj Real Sociedad, për të qenë më i miri në fushë. Me këtë dopietë, beratasi u ngjit në kuotën e 9 realizimeve këtë sezon, duke qenë edhe golashënuesi i skuadrës.
Dy gola realizoi edhe Sokol Cikalleshi në sfidën e Konyaspor ndaj Adana Demirspor. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare zhbllokoi takimin nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 9-të dhe gjeti rrugën e rrjetës sërish nga 11 metrat, në minutën e 45-të.
Në fund takimi u mbyll në barazim 2-2 dhe Sokol Cikalleshi u shpall lojtari i ndeshjes, i vlerësuar me notën 8.3. 33-vjeçari vendosi edhe një rekord, pasi ka shënuar më shumë gola tek kjo skuadër si i huaj. Në kampionatin turk shënoi edhe Rey Manaj. Sulmuesi kuqezi realizoi një perlë të vërtetë nga goditja e dënimit dhe ky ishte goli i 15-të në kampionat me fanellën e Sivasspor.
Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti zhvilloi një paraqitje fantastike në takimin ndaj Juventusit. Qendërmbrojtësi kuqezi dhuroi asistin e golit të barazimit të shënuar nga Koopmeiners në minutën e 75-të.
Në fund të sfidës, Gjimshiti u vlerësua si lojtari më i mirë në prapavijën e Atalantës me notën 7.3. Asist dhuroi edhe sulmuesi Armando Broja, në humbjen e Fulhem. 22-vjeçari u hodh nga stoli dhe pritet që të jetë akoma dhe më shumë prezent në fushën e lojës.
Klan News