Qeveria ka vendosur të pezullojë përkohësisht veprimtarinë e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave të drejtuar nga Kryeministri Edi Rama.

Me mbylljen përkohësisht të këtij autoriteti, mbikëqyrjen e lojërave të fatit do ta kryejë Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Ky vendim i qeverisë vjen një ditë pasi Kryeministri Edi Rama bëri me dije publikusht se nga 1 Janari 2019 do të mbyllen të gjitha bastet sportive, ndërsa kazinotë do të largohen nga qendrat e banuara dhe do të vendosen në hotelet me 5 yje.

VENDIMI I KËSHILLIT TË MINISTRAVE:

PEZULLIMIN E PËRKOHSHËM TË VEPRIMTARISË SË AUTORITETIT TË MBIKËQYRJES SË LOJËRAVE TË FATIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Pezullimin e përkohshëm të veprimtarisë, në fushën e lojërave të fatit, të Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF), deri në ristrukturimin e këtij institucioni.

Ngarkohet ministri i Financave dhe Ekonomisë, si organi epror, të nxjerrë aktet e nevojshme për ristrukturimin e AMLF-së, si dhe të ndjekë zbatimin e këtij procesi.

Ngarkohet ministri i Financave dhe Ekonomisë, të përcaktojë aktivitetet konkrete që do të vijojë të kryejë AMLF-ja, për mbikëqyrjen e veprimtarisë së lojërave të fatit, gjatë periudhës së përkohshme të pezullimit.

Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

/tvklan.al