Lajme Arkiva 2003
Simon Lleshi është pezulluar nga detyra e shoferit të shefi të komisariatit Lezhë pasi dyshohet se ka ndihmuar Agim Pepën. Pezullimi i Lleshit është deklaruar sot në komunikatën e Ministrisë së Rendit, ndërkohë që shtypi shqiptar kishte publikuar më parë se vrasësi i Gani Malushit ka lëvizur me makinë policie.
Simon Lleshi: Nuk kam dijeni për Agim Pepën. Agim Pepën e njoh se është mirditor se është andej nga ne. Unë nuk mbaj përgjegjësi për mirditorët.
Gazetarja: Kur e keni takuar për herë të fundit Agim Pepën, ose kur e keni parë?
Simon Lleshi: Ka 3 vjet-4 vjet që kur ka qenë shef komisariati në Durrës zoti Gjovalin Noka, drejtori i policisë në Lezhë sot.
Gazetarja: Si jeni takuar atëherë?
Simon Lleshi: Thjesht jemi takuar, s’lemi pirë as kafe.
Gazetarja: E keni shoqëruar ndonjëherë me makinën e policisë?
Simon Lleshi: Jo, asnjëherë. Makina e policisë nuk ka lëvizur fare vetëm në komisariat dhe në lavash. Ditën që ka ndodhur vrasja ka qenë në komisariat të Lezhës, ka lëvizur shefi i komisariatit për në shtëpi. Ai drejt shtëpisë në Tiranë, unë drejt Durrësit.
Gazetarja: Shërbimi i brendshëm i kontrollit në ministri ka marrë të dhëna që ju jeni parë me këtë person me Agim Pepën, madje edhe e keni shoqëruar në pjesë të caktuara të rrugës me makinën e policisë.
Simon Lleshi: Ta bëjnë si të duan, në shtet apo në kanun zakonor që kemi ne, tre fëmijët ia lë peng në qoftë se kam hak. Ndërsa ata të mëdhenjtë që fshihen dhe duan të lajnë punët e tyre me ne të vegjlit më mirë ti bëjnë pyetje vetes dhe të pyesin a i kanë shokët e vetë mbrapa. Se mund të kenë më tepër dijeni ata të mëdhenjtë e drejtorisë, se unë që jam polic./tvklan.al