Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Ligji antimafia shpresohet të presë lidhjet mes krimit dhe politikës. Ka qenë ky thelbi i deklarimit të numrit një të antimafies italiane Piero Luigi Vigna, pak minuta para largimit nga Shqipëria.
Ai u ndodh përkrah ministrit të drejtësisë në një konferencë shtypi, pas një dite të ngjeshur me takime dhe diskutime në Prokurorinë e Përgjithshme, ku ka biseduar edhe me përfaqësues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, një nga strukturat më të reja të antikrimit në Shqipëri.
Zoti Vigna ka theksuar, se paketa e ligjit antimafia është një nga shumë hapat që duhen ndërmarrë nga drejtësia jonë, për t’i dhënë goditjen e duhur organizatave kriminale dhe veprimtarisë së tyre.
Piero Luigi Vigna: “Do të ishte shumë e thjeshtë, nëse gjithçka do të zgjidhej thjesht duke nxjerr një ligj. Unë them shpesh, që ligjet bëhen që të kryhen, nëse nuk do të kishte vrasje, krime, askush nuk do të mendonte të ndëshkonte vrasjen. Ligjet nuk janë në gjendje të ecin me këmbët e tyre, kanë nevojë për mendjet tona dhe për këmbët tona”.
Vigna dhe zëvendësi i tij Mandoi, kanë qenë të pranishëm gjatë ditës së djeshme në prezantimin e paketës antimafia, për të cilën po punojnë së paku 20 ekspertë juristë të institucioneve të ndryshme.
Në fakt, ky grup i emërtuar komisioni për reformën ligjore, do të kontribuojë, për hartimin e një sërë ligjesh të tjerë dhe do të jetë një strukturë e përhershme pranë Ministrisë së Drejtësisë. Ajo ka qenë stacioni i fundit i vizitës së zotit Vigna, i cili nuk ka kursyer komplimentet më të mira për këtë institucion, duke shfaqur hapur entuziazmin e tij për miratimin e afërt për ligjin antimafia në Shqipëri.
Piero Luigi Vigna: “Shqipëria është për Italinë një vend i dashur. Ndoshta mund t’ju duket e çuditshme, por unë do të doja të përdorja pikërisht këtë fjalë, një vend i dashuruar nga ana e Italisë”./tvklan.al